Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka përkujtuar heroin e Kosovës, Luan Haradinaj, në përvjetorin e rënies së tij, duke theksuar sakrificën dhe rolin e tij në rezistencën e armatosur për çlirimin e vendit.
“Më 6 maj të vitit 1997, një grup luftëtarësh të Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të pajisur me armë dhe municione, po lëviznin nëpër brezin kufitar për të hyrë nga Shqipëria në Kosovë.
Në krye të tyre ishte Luan Haradinaj, atëkohë vetëm 23 vjeçar, por tashmë i dalluar për rolin aktiv në organizimin e rezistencës së armatosur të shqiptarëve kundër regjimit serb në Kosovë.
Pa e ditur se ajo do të ishte hera e fundit, Haradinaj po kalonte edhe një herë nëpër viset e ashpra malore, të cilat i kishte përshkuar shpesh gjatë viteve të mëparshme.
Gjatë rrugës nga fshati Vlahne i Hasit në drejtim të Kuzhinit, në zonën e njohur si Qafëmullar, grupi ra në pritë të një patrulle ushtarake kufitare jugosllave. Në përleshjen që pasoi, Luan Haradinaj u vra duke luftuar në këmbë, në mënyrë trimërore”, ka shkruar Kurti.
Ai ra dëshmor në përpjekjet për çlirimin e Kosovës, duke mbetur një nga figurat simbol të rezistencës së armatosur.
Lavdi Luan Haradinajt, luanit të lirisë së Kosovës!


