Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pas kalimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit dhe pas shpërndarjes së Kuvendit, në një konferencë për media së bashku me kandidaten për presidente të propozuar nga Vetëvendosje, Feride Rushiti ka akuzuar opozitën për bllokim të procesit dhe sjellje jo institucionale, duke thënë se ajo ka pamundësuar vazhdimin e raundeve të votimit për zgjedhjen e presidentes.
“Jemi këtu bashkë në Kuvendin e Republikës me kandidaten për presidente të Republikës, doktoreshën Feride Rushiti e cila mbrëmë gjatë përpjekjes për të konsumuar raundin e parë të zgjedhjes së presidentes së re mori 63 vota që ishte dëshmi se Kosova si shtet i pavarur , si republikë demokratike, mund të ketë presidente të re, mirëpo ajo çfarë mungon është opozita aty e cila me sjelljen e saj jo shtetërore, anti institucionale, me bojkotin dhe bllokimin pamundësoi konsumimin e raundit të parë për të vazhduar me raundin e dytë e të tretë”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se kandidatja për presidente, Feride Rushiti, i ka votat e nevojshme, por procesi është penguar për shkak të mungesës së kuorumit në Kuvend.
“Doktoresha Feride Rushiti i ka votat për presidente, ajo çfarë nuk ka Kosova është kuorumi në Kuvend. Unë e falënderoj përzemërsisht së pari që ka pranuar të jetë kandidate dhe si një lidere e shoqërisë civile si një personalitet i dëshmuar në fushën e të drejtave të njeriut për pothuajse tri dekada është nder për republikën tonë që e kishim kandidate, por njëkohësisht e përgëzojmë për punën e kontributin që ka dhënë. Ajo është personaliteti që u pengua nga opozita që të bëhet presidente e republikës dhe të kemi funksionim demokratik e kompletim të udhëheqjeve institucionale”, ka thënë mes tjerash Kurti.


