Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka, ka akuzuar opozitën për bllokimin e miratimit të pakos financiare prej 122 milionë euro, e cila sipas tij është paraparë për të ndihmuar qytetarët në përballimin e krizës ekonomike.
Në një reagim publik, Haskuka rikujtoi se opozita më herët kishte thirrur seancë të jashtëzakonshme lidhur me rritjen e çmimeve të naftës, duke fajësuar qeverinë për mosveprim në kontekstin e zhvillimeve në Lindjen e Mesme.
Ai theksoi se sot është thirrur seancë për rishikimin e buxhetit, me qëllim miratimin e një pakoje mbështetëse në vlerë prej 122 milionë euro për qytetarët, por sipas tij, kjo po pengohet nga opozita.
“Sot kemi thirrur seancë për rishikimin e buxhetit, për të miratuar pakon prej 122 milionë euro në mbështetje të qytetarëve për përballimin e krizës. Por, siç duket, janë mobilizuar bashkë me Listën për ta bllokuar”, ka deklaruar Haskuka.
Sipas tij, ekziston një kundërthënie në qëndrimet e opozitës, e cila njëkohësisht kritikon qeverinë për mungesë mbështetjeje dhe, nga ana tjetër, pengon miratimin e masave financiare për qytetarët.
Postimi i Plotë:
Patën thirrur seancë të jashtëzakonshme për rritjen e çmimeve të naftës për shkak të luftës në Lindjen e Mesme dhe duke akuzuar qeverinë për mosveprim.
Sot kemi thirrur seancë për rishikimin e buxhetit, për të miratuar pakon prej 122 milionë euro në mbështetje të qytetarëve për përballimin e krizës. Por, siç duket, janë mobilizuar bashkë me Listën për ta bllokuar.
Pra, nga njëra anë kritikojnë se qeveria nuk po i mbështet qytetarët, ndërsa nga ana tjetër bllokojnë pikërisht mbështetjen prej 122 milionë euro për qytetarët.


