Kosova gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti ka eksportuar mallra në vlerë prej rreth 500 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 30% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka bërë të ditur Adriatik Stavileci, zëdhënësi i Doganës së Kosovës.
Stavileci ka thënë të premten se pritet që vlera totale e eksportit deri në fund të këtij viti të arrijë në 1 miliard euro.
“Kemi pasur një vit të suksesshëm në aspektin e eksportit të produkteve, ky vit, deri tani kemi eksportuar rreth 500 milionë euro mallra në vendet e ndryshme të botës, që në krahasim me vitin e kaluar nënkupton një rritje prej 30%. Vitin e kaluar në të njëjtën periudhë kemi pasur rreth 300 milionë euro mallra të eksportuara. Presim që deri në fund të këtij viti të arrijmë deri te 1 miliard mallra të eksportuara që paraqet një rekord”, ka thënë Stavileci.
Sipas tij, e rëndësishme është që këtë vit është rritur eksporti i shërbimeve të ndryshme, siç janë ato nga fusha e IT-së.
Po ashtu, ai ka thënë se këtë vit ka pasur rritje të produkteve finale që janë eksportuar.

Ndërkohë, duke folur për shkëmbimet tregtare me Serbinë, Stavileci në një emision të KTV-së ka thënë se ka rënie të importit nga ky shtet, ndonëse siç ka shpjeguar vlera është më e madhe për shkak të rritjes së çmimeve.
“Sasia e produkteve nga Serbia që vijnë në Kosovë është më e ulët se vitin e kaluar por vlerat e mallrave kanë ndryshuar”, është shprehur Stavileci.


