Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, në Komisionin për Buxhet ka kërkuar që në rendin e ditës të shtohen tri pika shtesë, përfshirë diskutimin për pagën e 13-të dhe çmimet e derivateve të naftës.
Megjithatë, këto pika nuk u përfshinë në rend dite, pasi kërkesa u hodh poshtë me tre vota për, asnjë kundër dhe pesë abstenime.
Mustafa tha se kërkesa lidhet me praninë në mbledhje të ministrit të Financave, Hekuran Murati. Ai theksoi nevojën për raportim nga Ministria e Financave lidhur me masat për përballimin e çmimeve të naftës dhe energjisë, si dhe ndikimin e tyre në standardin e jetesës së qytetarëve. Po ashtu, ai kërkoi sqarime për mosrealizimin e pagës së 13-të në RTK dhe për situatën në sektorin shëndetësor lidhur me këtë çështje.
“Kërkojmë një raportim nga Ministri i Financave se çka ka bërë deri tash Qeveria e Kosovës ose çka po planifikon që të bëjë për të mbrojtur dhe për të përkrahur qytetarët e Kosovës ndaj këtyre çmimeve,” tha Mustafa.
Kryetari i Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Enver Haliti, tha se këto tema mund të trajtohen në seancën e Kuvendit të thirrur nga LDK për të premten. Ai u shpreh se, sipas praktikave, në mbledhje të jashtëzakonshme nuk lejohet ndryshimi i rendit të ditës dhe se deputetët do të kenë mundësi të adresojnë këto çështje në seancë, ku do të jenë të pranishëm edhe kryeministri dhe ministrat përkatës.
Komisioni për Buxhet ka miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës, ani pse Partia Demokratike e Kosovës doli kundër kësaj kredie.
Ministrini Financave, Hekuran Murati, prezantoi marrëveshjen dhe theksoi komponentët kryesorë, duke thënë se ajo është negociuar dhe finalizuar në kuadër të përpjekjeve për forcimin e stabilitetit financiar në vend. “Kjo marrëveshje është negociuar dhe finalizuar në kuadër të përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të forcuar stabilitetin financiar në Kosovë”, tha Murati, duke përmendur Bankën Zhvillimore, rritjen e kapitalit në Fondin për Garanci Kreditore, rritjen e nivelit të mbrojtjes së depozitave dhe integrimin në SEPA.
Nënkryetari i Komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Kujtim Gashi, tha se PDK është kundër marrjes së kredisë. “Ne mendojmë që nuk ka nevojë Kosova ta marrë një borxh të tillë, një kredi të tillë për një asistencë teknike”, u shpreh Gashi.
Ndërsa anëtari i Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa, ngriti pyetje për ministrin Murati lidhur me dallimet mes Bankës Zhvillimore dhe Fondit për Garanci Kreditore, shumën e kredisë për kapitalin themeltar dhe koston e saj. “Cilët punë s’po mundet me i kryer fondi, që pretendoni me i kryer me Bankën Zhvillimore?”, pyeti Mustafa.


