Dje gjatë ditës, ushtria e Serbisë, ka zhvilluar ushtrime afër kufirit me Kosovën, saktësisht në fshatin Muhovc të Serbisë.
Këto ushtrime të cilat paraqitën shqetësim për qytetarët e Kosovës e sidomos ata të Gjilanit që ndodheshin afër kufirit, sipas KFOR-it i cili ndodhet për mision paqeruajtës në Kosovë, ata ishin të njoftuar.
KFOR në një përgjigje për lajmi.net ka konfirmuar se ishin njoftuar që Forcat e Armatosura të Serbisë, do të zhvillonin një aktivitet të planifikuar stërvitor në Muhovc në Serbi. Ata kanë thënë se ky aktivitet nuk përbën kërcënim për sigurinë apo stabilitetin në rajon.
“KFOR konfirmon se ishte i njoftuar që Forcat e Armatosura të Serbisë (SAF) do të zhvillonin një aktivitet të planifikuar stërvitor, që përfshinte parashutistë të dislokuar nga një helikopter në fshatin Muhovc, Serbi. Ky është një aktivitet rutinë i zhvilluar brenda territorit të Serbisë dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë apo stabilitetin në rajon”, kanë thënë nga KFOR.
Ata kanë thënë se po e monitorojnë vazhdimisht situatën përgjatë Vijës Administrative Kufitare dhe në të gjithë Kosovën.
“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO vazhdon të monitorojë nga afër situatën përgjatë Vijës Administrative Kufitare dhe në gjithë Kosovën, duke mbajtur komunikim të vazhdueshëm dhe koordinim efektiv me autoritetet lokale të sigurisë dhe me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë”, kanë thënë nga KFOR për lajmi.net.
Në lidhje me mandatin e KFOR-it, ata kanë thënë se mbeten plotësisht të përkushtuar për ta zbatuar atë.
“KFOR mbetet plotësisht i përkushtuar në zbatimin e mandatit të tij—bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999—për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm (SASE) dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e KFOR-it për lajmi.net.


