Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për herë të parë është kryer intervenimi kirurgjik minimal invaziv Nephrolitotomia Perkutane (PCNL – Percutaneous Nephrolithotomy) për trajtimin e gurëve të mëdhenj në veshka.
Aplikimi i kësaj procedure është vlerësuar si hap i rëndësishëm në avancimin e shërbimeve urologjike dhe në ofrimin e trajtimeve moderne brenda sistemit publik shëndetësor në Kosovë.
Kjo pasi deri më tani pacientët me këtë patologji janë detyruar të kërkojnë trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore.
“Procedura është realizuar nga ekipi i Klinikës së Urologjisë në bashkëpunim me Klinikën e Anesteziologjisë, duke përdorur teknologjinë bashkëkohore të laser-it holmium, e cila mundëson thyerjen dhe largimin e gurëve në veshka përmes një qasjeje minimale invazive”- thuhet në njoftimin e SHSKUK-së më 12.03.2026.
Metoda PCNL përdoret për trajtimin e gurëve të mëdhenj në veshka dhe realizohet përmes një prerjeje shumë të vogël në lëkurë, duke mundësuar qasje direkte në veshkë. Kjo teknikë redukton traumën kirurgjike, kohën e qëndrimit në spital dhe periudhën e rikuperimit të pacientit.
Pacienti me inicialet N.M., i lindur në vitin 1967, është rasti i parë që i’u nënshtrua me sukses këtij intervenimi dhe është liruar për në shtëpi në gjendje të mirë, ka njoftuar QKUK.



