Thellimi i bashkëpunimit institucional mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e rinisë dhe sportit ka qenë subjekt diskutimi mes ministrit të Sportit dhe Rinisë në Qeverinë e Kosovës, Blerim Gashani, dhe ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Për takimin ka njoftuar vetë Gashani.
“Me kënaqësi sot prita në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, zotëri Jonathan Hargreaves. Gjatë takimit diskutuam për avancimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e rinisë dhe sportit, me fokus në zhvillimin e programeve dhe iniciativave të përbashkëta që mbështesin fuqizimin e të rinjve, zhvillimin e kapaciteteve të tyre dhe zhvillimin e sektorit të sportit në Kosovë”, ka shkruar Gashani. “Shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën dhe për rolin e saj si partner i rëndësishëm në avancimin e politikave rinore dhe sportive”.


