Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, përmes një komunikate për media, njoftoi se mori pjesë në pritjen e organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në New York për korin diplomatik të shteteve anëtare të Organizata e Kombeve të Bashkuara, në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.
Ai në këtë njoftim bëri të ditur se para diplomatëve të shumtë, ka falënderuar Shtetet e
Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj
Kosovës, duke theksuar rolin vendimtar që ata kanë pasur në ndërtimin dhe forcimin e
institucioneve shtetërore.
Sipas tij, gjatë këtyre viteve Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në konsolidimin e demokracisë,
forcimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik, duke u pozicionuar si vendi më
demokratik në rajon.
“Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm në konsolidimin e demokracisë, sundimin e
ligjit dhe zhvillimin ekonomik, duke u pozicionuar si shteti më demokratik në rajon”, thuhet në
njoftimin e Ahmetit.
Zëvendësministri ndër të tjerat ka theksuar gjithashtu përkushtimin e Republikës së Kosovës për
thellimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në funksion të arritjes së objektivave
strategjike, përfshirë anëtarësimin në NATO, Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës.
Sipas tij, përmes këtyre proceseve, Kosova jo vetëm që mbron sovranitetin e saj, por edhe
kontribuon në paqe dhe stabilitet ndërkombëtar.


