Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka përkujtuar 27-vjetorin e masakrës së Reçakut, duke e cilësuar atë si një nga krimet më të rënda të kryera nga Serbia në Kosovë.
Në një postim, Çeku ka theksuar se sot kujtohen dhe nderohen 45 civilët shqiptarë që u vranë mizorisht vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike.
“Reçaku mbetet dëshmi e së vërtetës dhe thirrje e përhershme për drejtësi”, ka shkruar ai, duke nënvizuar rëndësinë historike dhe morale të kësaj masakre për kujtesën kolektive dhe përpjekjet për drejtësi ndërkombëtare.
Masakra e Reçakut, e ndodhur në janar të vitit 1999, ishte një nga ngjarjet kyçe që tronditi opinionin ndërkombëtar dhe kontribuoi në ndërhyrjen e NATO-s kundër regjimit serb.


