Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Mytaher Haskuka, ka falënderuar aktivistët, vullnetarët, mërgimtarët dhe qytetarët për angazhimin dhe mbështetjen e dhënë gjatë fushatës zgjedhore, duke e cilësuar këtë periudhë si një proces me debate të hapura dhe angazhim qytetar për një Kosovë më të mirë.
“Debati shpesh ka qenë i thellë dhe i ashpër, por qëllimi ynë ishte i përbashkët: një Kosovë e sigurt dhe e begatë”, ka theksuar Haskuka, duke shprehur falënderim të veçantë për mërgimtarët që, sipas tij, kanë udhëtuar mijëra kilometra për ta ushtruar obligimin e tyre qytetar.
Haskuka njihet si një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë dhe më të besueshëm të kryeministrit Albin Kurti në Prizren.
Gjatë mandatit të tij si kryetar i Komunës së Prizrenit, ai ka realizuar një sërë projektesh me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Ndër to përfshihen shujtat falas për nxënësit e ciklit të ulët, një projekt social dhe arsimor që u ndërpre më pas nga pushteti lokal i udhëhequr nga PDK-ja.

Po ashtu, gjatë qeverisjes së tij komunale, Haskuka ka sjellë për herë të parë falas diagnostifikimin e hershëm të kancerit në shëndetësinë primare, ka iniciuar shërbimin geriatrik publik me mjekë që shkojnë në shtëpitë e të moshuarve, si dhe ka përmirësuar kushtet e jetesës për 585 familje me gjendje të rëndë sociale në Komunën e Prizrenit.
Sipas Haskukës, kauza për siguri dhe begati është mbi interesat individuale, ndërsa slogani “Mos lësho pe!” përfaqëson frymën unifikuese të kësaj fushate.
Ai ka ritheksuar mbështetjen për Lëvizjen Vetëvendosje (116) dhe Albin Kurtin kryeministër, duke kujtuar se në listën zgjedhore garon me numrin 50.


