Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj qëndrimeve të opozitës lidhur me shtesat për fëmijë, duke i akuzuar ato për mospërputhje dhe mungesë besueshmërie ndër vite.
Në një postim publik, Murati rikujton se opozita fillimisht kishte deklaruar se shtesat për fëmijë nuk mund të realizoheshin për shkak të mungesës së buxhetit. Sipas tij, edhe pasi u sigurua buxheti dhe u implementua skema, opozita i kishte përqeshur këto shtesa duke i quajtur të pamjaftueshme.
“Kur i rritëm shtesat dhe tani planifikojmë t’i dyfishojmë sërish në 90 euro në muaj për mandatin e ardhshëm, opozita ka nisur të premtojë shtesa prej 50 eurosh në muaj”, ka shkruar Murati.
Ai vë në pikëpyetje sinqeritetin e këtyre premtimeve, duke theksuar se për më shumë se 20 vjet opozita, sipas tij, nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për mbështetjen e fëmijëve në Kosovë.
“Por a ka kush që u beson opozitës, të cilët për 20 vite me radhë asnjëherë nuk u kujtuan që Kosova kishte fëmijë dhe duhej mbështetur?”, ka përfunduar Murati.
Deklarata e tij vjen në kuadër të debatit politik për politikat sociale dhe premtimet elektorale për mandatin e ardhshëm.


