Kryeministri Albin Kurti ka prezantuar investimet e realizuara dhe projektet e planifikuara për Pejën, duke bërë thirrje për mbështetje për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe numrin 116 në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Në një postim, Kurti thekson se gjatë këtij mandati vëmendja ndaj qytetit dhe fshatrave të Pejës nuk ka munguar. Sipas tij, janë duke u realizuar projekte të rëndësishme infrastrukturore dhe zhvillimore, përfshirë Qendrën Nacionale të Xhudos, Stadiumin e qytetit, ngrohjen qendrore, si dhe rrugën e Dukagjinit që lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën dhe Deçanin me Pejën dhe Istogun. Po ashtu, ai përmend ndërtimin e rrugës Pejë–Kuçishtë dhe rehabilitimin e modernizimin e të gjitha rrugëve rajonale.
Duke folur për mandatin e ardhshëm, Kurti njofton se do të zgjidhen problemet me kanalizimet dhe trajtimin e ujërave të zeza, ndërsa parashihet hapja e pesë çerdheve në Baran, Raushiq, Leshan, Nabërgjan dhe Novosellë. Ai thekson edhe mbështetjen për Inkubatorin e Biznesit pranë Universitetit “Haxhi Zeka”, forcimin e lidhjeve mes universitetit, sipërmarrësve dhe sektorit privat, si dhe prioritetizimin e ICT-së, turizmit dhe shërbimeve digjitale.
Sipas Kurtit, investimet në akademi dhe teknologji do ta pozicionojnë Pejën si epiqendër të inovacionit në rajonin e Dukagjinit.


