27 aplikues kanë arritur të kalojnë 100% testin me shkrim në konkursin për infermierë të përgjithshëm, të hapur nga Komuna e Prizrenit.Maksimumi i pikëve në testin me shkrim në konkursin për infermierë ishte 70 pikë, dhe atë e siguruan 27 aplikues.Komuna e Prizrenit ka hapur konkurs për 32 infermierë të përgjithshëm më 30.09.2025 dhe konkursi ka qenë i hapur deri më 29.10.2025.Sipas njoftimit të konkursit, infermierët që do të pranohen me ketë konkurs do të shërbejnë në QKMF, QMF dhe AMF.290 persona i janë nënshtruar testit me shkrim për 32 pozita, ndërsa 84 nga ta kanë arritur ta kalojnë atë.84 aplikuesit që e kanë kaluar testin me shkrim që nga nesër, më 09.12.2025, do të hynë në intervistë me gojë. Redaksia e KALLXO.com ka pranuar një raportim mbi pretendimet se testi është shpërndarë dhe se për këtë 27 kandidatë kanë arritur të sigurojnë rezultate maksimale.Për këto pretendime, KALLXO.com ka kontaktuar kryetarin e komisionit vlerësues, Fehmi Mazreku.Mazreku në një përgjigje ka thënë se deri më tani (13:43, 08.12.2025) nuk kanë pranuar asnjë ankesë zyrtare në lidhje me fazën e testimit me shkrim.Ai theksoi se sot, më 08.12.2025, kanë qenë dy aplikuese të cilat kanë kërkuar ta shohin testin e tyre, dhe se nuk ka pasur diçka më shumë.“Deri më tani, konkursi ka shku sipas të gjitha procedurave që i ka caktu zyra e personelit. Deri më tani nuk kemi asnjë ankesë, i kemi pasë dy aplikante, kanë qenë për me i kontrollu testet, me i pa, kanë të drejtë”- tha ai.Për mundësinë e shpërndarjes së testit për konkursin për infermierë të përgjithshëm, Mazreku tha se nuk janë në dijeni se diçka e tillë ka mundur të ndodhte.“Ne nuk jemi në dijeni se dikush ka mujtë me e shpërnda testin. Ne nuk dimë që ka pasë diçka të tillë. Ne në ditën e testimit ua kemi marrë telefonat secilit aplikant. Ka qenë numër i madh. Sa kemi mund, jemi mundu me i këqyrë, ka qenë dhe kryetari i Sindikatës së Infermierëve aty”- ka thënë Enis Qemaledini, anëtar i komisionit vlerësues, ka thënë për KALLXO.com se nuk ka informatë që testi të jetë shpërndarë.Ai ka deklaruar se testi është hartuar nga anëtarët e komisionit në ditën kur është mbajtur testi.“Testi nuk ka qenë i vështirë. Ka pasë shumë njerëz. Në atë ditë që është mbajur testi, atë ditë e kemi hartuar dhe skanuar. Nëse ka kopju dikush, unë nuk mund të mbaj përgjegjësi, policë nuk jemi. Duhet me marrë parasysh ka qenë i lehtë. Testin e kemi bërë anëtarët e komisionit dhe kemi shkuar drejt në amfiteatër ku e kemi mbajtë testin”- tha ai.Anëtarja tjetër e komisionit, Minire Bllaca, ka thënë shkurt se pretendimet nuk janë të vërteta.Enis Gashi, anëtari tjetër i komisioni, tha se personalisht ka pritur që numri i kandidatëve të jetë edhe më i lartë.“Duke pasur parasysh nivelin e pyetjeve, të thjeshta, të njohura nga konkurset e kaluara, të disponueshme publikisht në internet dhe të cilat përdoren edhe në testimet e licencimit të infermierëve, çdo kandidat serioz do të duhej t’i dinte. Për këtë arsye, unë personalisht kam pritur që numri i kandidatëve me rezultat maksimal të ishte edhe më i lartë, sidomos prej një grupi me rreth 300 aplikantë”- tha ai. Anëtarë të komisionit vlerësues për këtë konkurs siç ka konfirmuar drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, Simir Krasniqi, kanë qenë Fehmi Mazreku, kryesues i komisionit dhe anëtarë Minire Bllaca, Enis Gashi, Enis Qemaledini dhe zyrtar nga zyra e personelit.
Konkursi për 32 infermierë në Prizren, 27 aplikues e kalojnë 100% testin me shkrim
Gjithashtu lexoni:
Kosova News


