Kryesia e Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka njoftuar se më 12 dhjetor 2025 do të organizojë një protestë paqësore para zyrave të KEK-ut në Prishtinë, duke filluar nga ora 11:00. Sindikata thotë se protesta vjen si rezultat i nevojës për adresimin e kërkesave urgjente të punëtorëve.
Sipas njoftimit, punëtorët kërkojnë rritje të pagave në përputhje me kushtet e tregut, inflacionin dhe natyrën e rrezikshme të punës në sektorin energjetik. Po ashtu, sindikata kërkon nivelizimin e pagave të stafit të sigurimit fizik me punëtorët tjerë të KEK-ut, duke filluar nga 1 janari 2026.
Një tjetër kërkesë është edhe zbatimi i pagës së 13-të për punëtorët e KEK-ut, ashtu siç është premtuar për sektorin publik.
“Sektori i energjisë është strategjik për shtetin, dhe punëtorët e KEK-ut nuk mund të trajtohen me standarde më të ulëta se pjesa tjetër. Kërkesat tona janë të ligjshme, të arsyeshme dhe të domosdoshme për dinjitetin e punëtorëve”, thuhet në njoftim.
Sindikalistët u bëjnë thirrje të gjithë punëtorëve të bashkohen në protestë për të kërkuar realizimin e këtyre të drejtave.


