Lidhja Demokratike e Kosovës publikoi dje listën e kandidatëve për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.
Në këtë listë nuk mungoi as ish-anëtarja e Vetëvendosjes, e cila më pas u bashkua me LDK-në, Doarsa Kica-Xhelili.
Për dallim nga hera e parë, kur LDK e “shpërbleu” dukshëm për largimin nga Vetëvendosje dhe kalimin në partinë e Abdixhikut, kësaj radhe duket se pozicionimi i saj nuk ishte i njëjtë. Madje, siç shihet, Kica-Xhelili ka edhe pakënaqësi për faktin që nuk u rendit sërish e dyta, ashtu si në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Hatërmbetjen e saj e shprehu tërthorazi përmes një statusi në Facebook, ku ndër të tjerash i rikujtoi LDK-së se ishte “njeriu i dytë më i votuar”, duke theksuar se këtë herë zgjodhi numrin 4, sepse—siç thotë ajo—“vendin ia përcakton qytetari, e jo partia”.
Ajo shkroi:
“Në politikë kam mësuar se vendin ta jep besimi, jo zhurma. Pa zhurmë, ju më renditët njeriun e dytë më të votuar në LDK. Këtë herë kam zgjedhur të garoj me numrin KATËR (4), sepse besoj se vendin tim real ma përcaktoni ju: qetë, me votë, jo me kalkulime e zhurmë”.
Kica-Xhelili kishte bërë më shumë zhurmë në opinion pikërisht me kalimin e saj nga Vetëvendosje në LDK, në një periudhë me zhvillime të mëdha politike në vend.
Se sa vota do të marrë tash e tutje, mbetet të shihet.


