Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Ditën e Forcës dhe Ditën e Ushtrisë së Kosovës, duke vlerësuar lart rolin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe mbrojtjen e integritetit territorial të vendit.
Në një postim publik, Presidentja Osmani ka theksuar se kjo ditë është moment për të nderuar të gjithë pjesëtarët e FSK-së për profesionalizmin, përkushtimin dhe gatishmërinë e tyre për t’i shërbyer vendit.
“Gëzuar Ditën e Forcës! Dita e Ushtrisë sonë! Sot nderojmë Forcën tonë të Sigurisë, gardianët e paqes, mbrojtësit e palëkundur të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Lavdi e përjetshme heronjve dhe dëshmorëve që ngritën themelet e Ushtrisë sonë”, ka shkruar Osmani.
Ajo shtoi se ndërtimi dhe forcimi i ushtrisë mbetet një prej prioriteteve strategjike të shtetit, ndërsa FSK-ja po vazhdon zhvillimin dhe modernizimin sipas standardeve të NATO-s.
Ceremonitë zyrtare për Ditën e Forcës pritet të mbahen gjatë ditës me pjesëmarrjen e autoriteteve shtetërore, përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe komandës së FSK-së.


