Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar pas ndeshjes së mbrëmshme mes Kosovës dhe Zvicrës, ku kapiteni i helvetikëve, Granit Xhaka, u prit me fishkëllima nga një pjesë e tifozëve.
Ademi tha se Granit Xhaka është “aset kombëtar” dhe gjithmonë i mirëseardhur në Kosovë.
“Ne i gjykojmë fishkëllimat që ndodhën, edhe pse ato nuk erdhën nga e gjithë masa dhe as nga tifogrupi ‘Dardanët’. Ato kanë qenë të panevojshme dhe të paarsyeshme dhe i gjykojmë, sikurse i gjykojmë edhe deklaratat e atyre që vjellin vrerë edhe kur Kosova shënon rezultate kulmore”, tha Ademi.
Ai theksoi se suksesi i Kombëtares së Kosovës dhe kualifikimi historik në ‘Play-Off’ po tentohet të zbehet nga “propaganda dhe pesimizmi” i disa mediave dhe individëve që, sipas tij, nuk kanë lidhje me futbollin.
Ademi u ndal edhe te rëndësia e sportistëve shqiptarë që kanë kontribuuar nga diaspora, duke përmendur Xhakën, Shaqirin, Dua Lipën, Rita Orën, Ramë Lahajn e të tjerë, të cilët i quajti “ambasadorët më të mirë të popullit tonë”.
“Graniti ka qenë dhe do të jetë gjithmonë i mirëpritur në atdheun e tij. Ai është djali i një familjeje atdhetare që jeton e vepron në Prishtinë, prandaj ne i jemi gëzuar gjithmonë sukseseve dhe karrierës së tij të bujshme”, theksoi Ademi.
Në fund, kryetari i FFK-së falënderoi tifozët për përkrahjen e jashtëzakonshme në stadium, pavarësisht shiut dhe lajmeve të pavërteta për kushtet e fushës.
“Ju jeni zemra e suksesit tonë. Vazhdojmë me krenari drejt ëndrrës sonë. Forca Kosova!”, përmbylli ai.


