Prishtinë- Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), po trajton kallëzimin e penal, të bërë nga familja Sadiku ndaj gjyqtares Edita Çanta, për pretendimet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, në rastin e pronës milionëshe në Veternik.
Ky kallëzim penal, ishte paraqitur në Prokurorinë Themelore në Prizren, por kjo e fundit kompetencat ia ka bartur PSRK-së, si autoritet për hetimin e rasteve të prokurorëve dhe gjyqtarëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori special i ngarkuar me këtë rast, Milot Krasniqi, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, se rasti është regjistruar në PSRK, por që ende nuk ka aktvendim për fillim të hetimeve.
“Jo, është ende në fazën e vlerësimit fillestar dhe për veprimet tutje do shohim”, ka thënë ai.
Gjyqtarja Çanta, më 11 shtator 2025, kishte urdhëruar ndalimin përfundimtar të pronës rreth 3 hektarëshe në Veternik, pasi Apeli e kishte për herë të pestë çështjen e sekuestrimit të pronës milionëshe. Gjykata Themelore në Prishtinë më 15 maj 2024 kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për lëshimin e urdhrit ndalues përfundimtar.
Gjykata me vendimin e 11 shtatorit kishte ndaluar shitjen, blerjen, qiranë dhe çdo formë tjetër ku shtrihet pjesa e ngastrës më numër 10433-0. Këtë vendim thuhej se do ta ekzekutonte Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar në afat prej 15 ditësh. Ndërsa, Policia e Kosovës obligohej që ta zbatojë këtë urdhër ndalues, duke u kujdesuar për pasurinë e sekuestruar.
Por, ky vendim, sipas familjes Sadiku nuk po zbatohej me urdhër të vetë gjyqtares Edita Çanta, për çka edhe kanë bërë kallëzim penal dhe kërkesë për përjashtim të saj. Sipas tyre, gjyqtarja përmes telefonit ka ndaluar Policinë e Kosovës që të ekzekutohet urdhri dhe kjo evidentohet në vetë një e-mail zyrtar të Policisë ku në raport zyrtar theksojnë se citohet: “Sa i përket kësaj kemi kontaktuar me gjyqtaren e procedurës paraprake Edita Çanta e cila pas konsultimit lidhur me këtë çështje na udhëzon dhe sugjeron se banoret qe kanë blerë banesë nuk mund të iu mohohet e drejta që të shfrytëzojnë banesën e tyre vetëm se nuk i lejohet që të kryejnë tjetërsime në objekt…“.
Më tej, sipas ankesës, gjyqtarja në njërën anë përmes vendimit obligon Policinë në zbatimin e këtij urdhri dhe në anën tjetër përmes telefonit udhëzon Policinë që mos të zbatojë urdhrin, duke dhënë sipas tyre, udhëzim çorientues.
Ndryshe, Gjyqtarja Edita Çanta, është përjashtuar nga rasti i pronës milionëshe në Veternik, ku ishte gjyqtare e procedurës paraprake. Përjashtimi i saj u bë pas kërkesës së familjes Sadiku, e cila pretendon të jetë e dëmtuar në këtë rast.
Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, gjyqtaren Çanta e ka përjashtuar me arsyetimin se tashmë ka një kallëzim penal ndaj saj nga familja Sadiku dhe në të njëjtën kohë, edhe ajo ka bërë një kallëzim penal ndaj djalit të palës në këtë rast Nexhat Sadikut- Ergyn Sadiku, me pretendimet për kërcënim.
Prona rreth 3 hektarëshe, për të cilën “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar më 13 shtator 2021, dhe kishte zhvilluar debat në emisionin “Tempus”, dyshohet se iu është marrë Nexhat dhe Gursel Sadikut përmes mashtrimit dhe dokumenteve të falsifikuara. Për këtë po hetoheshin Ylber Hyseni dhe Afrim Gashi, ndërsa pas zgjerimit të hetimeve edhe Melihate Gashi.
Gjithashtu, pas zgjerimit të hetimeve, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngrirë edhe 7 hektarë tokë në Veternik që dyshohet se janë fituar me vepër penale.
Të dyshuar dhe nën hetime për këtë pronë janë Ylber Hyseni dhe Afrim Gashi. Hyseni i cili konsiderohet si pronar legjitim i pronës, gjendet ende në arrati. Pas zgjerimit të hetimve tashme po hetohet edhe Meligate Gashi. Këtë pronë, e kishte fituar tashmë e ndjera Zojë Hyseni, nëna e Ylber Hysenit i cili më pas është paraqitur si trashëgimtari i vetëm. Përmes Dhomave të Posaçme të Gjykatës Supreme, e ndjera Hyseni kishte fituar mbi 9 hektarë tokë, përmes dokumenteve që dyshohet se janë të falsifikuara.
“Betimi për Drejtësi”, kishte pyetur Prokurorinë Themelore në Prishtinë, se pse nuk kishte kërkuar urdhër ndalues përfundimtar për gjithë pronën e fituar prej 9 hektarësh, duke e ditur se veprat penale ndiqen ex-officio (sipas detyrës zyrtare).
“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria është duke ndërmarrë masa dhe veprime të nevojshme hetimore lidhur me këtë rast. Në këtë fazë të procedurës nuk mund të japim më shumë informacione për shkak të natyrës së hetimeve”, është përgjigjur Prokuroria më 16 shtator 2025.
“Betimi për Drejtësi”, më 26 tetor 2024, kishte publikuar edhe hulumtimin “Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe”. Ndërsa, paraprakisht, më 6 prill 2024, kishte publikuar hulumtimin “Beteja” për pronën milionëshe në Veternik”, ku tregohej se si çështja e sekuestrimit të pronës kishte shkuar sa në shkallë të parë, sa në shkallë të dytë dhe nuk është marrë një vendim përfundimtar, gjersa dëmi po rritej.
Gjykata Themelore në Prishtinë, përkatësisht gjykatësja e procedurës paraprake, Edita Çanta, më 18 dhjetor 2022, për herë të parë do të lëshonte urdhrin për sekuestrim të përkohshëm.
Por, pas një muaji, e njëjta gjyqtare kishe marrë aktvendim për refuzimin e kërkesës për lëshimin e urdhrit ndalues përfundimtar. Kështu, rasti kishte shkuar edhe katër herë të tjera në Apel, e cila gjykatë kishte kthyer rastin në rivendosje, por Themelorja prapë kishte vendosur mos të lëshonte urdhër sekuestrues për këtë pronë.
Hulumtimi i “Betimi për Drejtësi” dhe diskutimi i zhvilluar në “Tempus”, do bënte që Prokuroria të trajtonte kallëzimin penal të bërë nga palët dhe të niste hetimet ndaj Ylber Hysenit, me dyshimin se ka kryer veprën penale të “Mashtrimit” dhe “Legalizimit të përmbajtjes së rreme”, si dhe do kërkonte sekuestrimin e përkohshëm të pronës në Veternik, në të cilën veç kishin nisur punimet.
Ndërsa, më 6 prill 2024, “Betimi për Drejtësi”, ka publikuar hulumtimin “Beteja” për pronën milionëshe në Veternik”, ku tregohej se si çështja e sekuestrimit të pronës kishte shkuar sa në shkallë të parë, sa në shkallë të dytë.
Kurse, “Betimi për Drejtësi” më 26 tetor 2024, publikoi hulumtimin “Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe”, ku tregohej se si Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte vendosur t’ia falte besimin një prove të ardhë përmes postes “DHL Serbia”, duke injoruar përgjigjen zyrtare të ardhë përmes bashkëpunimit me ILECU.
Prokurorja Nebahate Salihu, këtë përgjigje zyrtare nuk e kishte përfshirë as në aktvendimin për pushimin e hetimeve. Ndërsa, zarfi i referohej kërkesës së Ministrisë se Drejtësisë. Kjo e fundit ka thënë se nuk ka marrë asnjëherë përgjigje lidhur me këtë kërkesë, e cila shkon përmes zyrës se BE-së, njësoj edhe përgjigja.
Në këtë zarf të dërguar përmes rrugëve jozyrtare, kinse gjendej historiku i kësaj prone 9 hektarëshe dhe i referohej Kosovës Republikë, çka sipas palëve ngriste dyshimin për një falsifikim tjetër të radhës.
Më 29 tetor 2024, me një përgjigje me shkrim për “Betimi për Drejtësi”, Danilo Radunoviq, përgjegjës i Departamentit të Arkivave të Entit Republikan i Gjeodezisë në Serbi, ka thënë se ata nuk kanë asnjë lidhje me ketë dërgesë.
“Enti Republikan i Gjeodezisë-Departamenti i Arkivës dhe unë personalisht, nuk kemi asnjë lidhje me dërgesën e DHL që ju e përmendni, si dhe nuk e kemi njohuri se kush e ka dërguar”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni të Serbisë.
Po ashtu, në përgjigjen e këtij institucioni të Serbisë, thuhet se Enti Gjeodezik Republikan lëshon dhe dërgon dokumente vetëm në mënyrën e përcaktuar me ligj dhe kjo nuk dërgohet përmes Postës “DHL”.


