Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Obiliqit, Sami Ahmeti, ka akuzuar kryetarin e komunës Xhafer Gashi se po strehon persona të cilët janë pjesë e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë. Bëhet fjalaë për nënkryetarin e Komunës së Obiliqit nga radhët e komunitetit serb Sllavisha Jakovleviq që vie nga radhët e Listës Serbe.
Sipas Ahmetit, pas ndërhyrjeve të institucioneve të Republikës së Kosovës për mbylljen e të ashtuquajturave “komuna”, “ndërmarrje komunale” dhe “zavode” të Serbisë në territorin e vendit, një pjesë e zyrtarëve të këtyre institucioneve kanë vazhduar të ushtrojnë funksione publike në komunën e Obiliqit.
“Në janar, kur organet e rendit mbyllën këto institucione ilegale, kërkova që zëvendësi i atëhershëm i kryetarit Xhafer Gashi, Sllavisha Jakovleviq, të shkarkohej me votë. Por ai u mbrojt me vendosmëri nga ekipi i kryetarit në ikje. Sot kemi dëshmi të qarta se ndërmarrja publike ‘Obilić’, e regjistruar në regjistrin tregtar të Serbisë, vazhdon të figurojë me përfaqësues ligjor të njëjtin person që mban pozitë zyrtare në komunën tonë,” deklaroi Ahmeti.

Në dokumentet e Agjencisë për Regjistra të Bizneseve të Serbisë, ndërmarrja publike “Obilić” figuron si ent publik i themeluar më 29 mars 1990, me pronar “Kuvendin Komunal të Obiliqit (Serbi)” dhe me përfaqësues ligjor Sllavisha Jakovleviq.

Ahmeti e cilëson këtë si “shkelje flagrante të sovranitetit dhe kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës” dhe paralajmëron kallëzime ligjore ndaj të gjithë atyre që, sipas tij, kanë lejuar vijimin e aktivitetit të strukturave ilegale në komunë.
“Ne nuk kemi çfarë t’u bëjmë regjistrave tregtarë në Serbi, por në komunën tonë, me votën e qytetarëve, do të ç’regjistrojmë përfundimisht strehuesit dhe të strehuarit e këtyre strukturave,” shtoi Ahmeti.
Ai theksoi se me ardhjen në pushtet të kryetarit të zgjedhur Halil Thaçi, qeverisja komunale do të jetë “efikase, e drejtë, transparente dhe në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.


