Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër tre personave, pasi dyshohet se kanë kryer veprën penale “Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”.
“Sipas aktakuzës, prej datës së pavërtetuar deri më datë 02.02.2022, në Prizren, të pandehurit S.E., Y.E., dhe R.E., duke vepruar në bashkëveprim, në lokalet e tyre N.T. “ E.T.”, D.P.T. “S.T.” dhe “G.S.”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, iu shmangen pagesës së tarifave doganore, kryejnë bartjen e mallrave të ndryshme si: telefona mobilë të markave të ndryshme, Usb, Sony Playstation, Hard Disk, kamera sigurie, orë dhe pjesë të telefonave, të cilat mallra i kanë futur në mënyrë ilegale në Republikën e Kosovës, duke iu shmangur deklarimit në Doganën e Kosovës, e të cilat mallra më pas i fshehin në lokacione në ndryshme.
Pastaj, këto mallra ia shesin tregtarëve të ndryshëm në qytete të ndryshme të Kosovës, duke përfituar shuma të konsiderueshme materiale në vlerë të parave, me të cilat veprime kanë bërë shmangie nga pagesat e detyrueshme doganore dhe e kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej 17,028.50 euro” thuhet në njoftimin e kësaj prokurorie.
Me këtë rast, nga tre të akuzuarit janë sekuestruar dyzet e dy telefona mobilë të markave të ndryshme, si: iPhone, Samsung Galaxy, Nokia etj., si dhe një numër i konsiderushëm i pajisjeve të tjera të teknologjisë si: Usb, Sony Playstation, Hard Disk, kamera sigurie, orë etj.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe sendet e sekuestruara të konfiskohen.