Afishe me mbishkrimet “Këtu jemi, mos u brengosni” dhe “Këtu jemi, po presim”, të shkruara në emër të të ashtuquajturës “Brigada veriore”, të cilat janë vendosur nëpër lokacione të ndryshme në rrugët e veriut të Mitrovicës, kanë shqetësuar qytetarët e kësaj pjese pa dallim, duke ngjallur panik tek ta.
Raportohet se këto afishe të shkruara në alfabetin cirilik, ku vërehen ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe katër shkronjat “s” janë vendosur mbrëmë pas mesnatës nga persona të maskuar.
Ndërkaq, sot me ftesë të shefit për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrel në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Takimi vjen pas tensioneve të shtuara në pjesën veriore të Kosovës dhe deklaratave në Kosovë e Serbi për shkak të fillimit të zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit ndërmjet dy vendeve për targa dhe dokumente zyrtare.






