Ministri i Punëve të Jashtme të Sirisë, Asaad Hassan Al-Shaibani, ka bërë të ditur se me mbështetjen e Turqisë, Siria njeh Kosovën si shtet të pavarur.
Në një postim në platformën X, kryediplomati sirian ndau lajmin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e këtij vendimi për marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Nën patronazhin e Arabisë Saudite dhe me mbështetjen e Turqisë, Republika Arabe Siriane njofton njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur, duke riafirmuar respektin për sovranitetin dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje”, shkroi Shaibani.
Ai shtoi se Damasku pohon respektin për vullnetin dhe aspiratat e popullit të Kosovës dhe pret me padurim zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Damaskut dhe Prishtinës, në frymën e stabilitetit dhe respektit të ndërsjellë midis kombeve.


