Kadetët e Qendrës për Studime Universitare (QSU) të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfunduar me sukses garën tradicionale “Triumfi Dardan 2025”, një aktivitet sfidues ushtarak që teston aftësitë fizike, mendore dhe taktike të pjesëmarrësve në kushte të vështira terreni, transmeton KosovaNews.
Në këtë garë morën pjesë 27 kadetë, të ndarë në tre skuadra, të cilët u përballën me detyra të ndryshme taktike dhe stërvitore gjatë patrullës.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua pjesëmarrjes së skuadrës nga Akademia Ushtarake e Turqisë, e cila kontribuoi në forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit profesional ndërmjet dy ushtrive mike.
FSK ka bërë të ditur se kjo garë shërben si një platformë e rëndësishme për ngritjen e aftësive të kadetëve dhe për forcimin e lidhjeve ndërmjet institucioneve ushtarake të Kosovës dhe vendeve partnere.
“Triumfi Dardan 2025” dëshmoi edhe një herë se sfidat e përbashkëta ndërtojnë miqësi të qëndrueshme dhe profesionalizëm të përbashkët, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Në përfundim të aktivitetit, të gjithë kadetët – përfshirë edhe ata nga Akademia Ushtarake e Turqisë – u vlerësuan për përkushtimin, vendosmërinë dhe shpirtin luftarak të treguar gjatë gjithë garës.


