Në ambientet e Drejtorisë së Doganës së Kosovës sot është zhvilluar një aktivitet humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzion të Gjakut, transmeton KosovaNews.
Ky aktivitet, i cili tashmë është bërë traditë vjetore e Doganës së Kosovës, synon të shpëtojë jetë dhe të kontribuojë në sigurimin e rezervave të gjakut për pacientët që kanë nevojë.
Sipas njoftimit të institucionit, këtë vit është vërejtur një rritje e ndjeshme e numrit të dhuruesve, duke dëshmuar solidaritetin dhe ndjenjën e përgjegjësisë qytetare të stafit të Doganës.
Dogana e Kosovës ka falënderuar të gjithë punonjësit pjesëmarrës në këtë nismë, si dhe ka shprehur mirënjohje për Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut për mbështetjen dhe profesionalizmin e treguar gjatë organizimit të aksionit.
“Ky aktivitet tregon qartë se humanizmi dhe gatishmëria për të ndihmuar të tjerët janë vlera që Dogana e Kosovës i promovon dhe i mbështet çdo vit”, thuhet në njoftimin e institucionit.
Ky aksion solidariteti vjen në kohën kur institucionet shëndetësore në vend po vazhdojnë thirrjet për dhurime të rregullta të gjakut, në mënyrë që të sigurohet mbulimi i nevojave urgjente për pacientët në spitale.


