Pjesëmarrja e Shërbimit Korrektues të Kosovës në forumin ndërkombëtar në Turqi konfirmon angazhimin e institucionit për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe avancimin e standardeve të punës brenda institucioneve korrektuese të vendit.
Konferenca e 27-të Vjetore e Organizatës Ndërkombëtare të Burgjeve dhe Shërbimeve Korrektuese (ICPA) po zhvillohet këtë javë në Turqi, duke mbledhur mbi 60 drejtues të shërbimeve korrektuese nga mbarë bota, të cilët po diskutojnë mbi inovacionet, qëndrueshmërinë e stafit, reformën e sistemit dhe mirëqenien në institucionet korrektuese.
Në këtë ngjarje po merr pjesë edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, përfaqësuar nga Drejtori i Përgjithshëm, Ismail Dibrani, dhe UD. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Siguri dhe Operativë, Besar Gashi.
SHKK njofton se gjatë forumit të shefave të shërbimeve, drejtori Dibrani ka zhvilluar takime me presidentin e ICPA-së, Davide Brown, të cilin e ka njoftuar për arritjet, sukseset dhe zhvillimet e fundit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, si dhe për përkushtimin e institucionit në zbatimin e standardeve ndërkombëtare në fushën korrektuese.
Po ashtu, ai ka takuar drejtorët e shërbimeve korrektuese nga vende të ndryshme si Turqia, Japonia, Franca, Belgjika, Polonia, Zelanda e Re dhe Irlanda e Veriut, ku është diskutuar për praktikat më të mira dhe për mundësitë e bashkëpunimit profesional ndërinstitucional.


