Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se po i ndërpret menjëherë të gjitha negociatat tregtare me Kanadanë.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump shkroi se Kanadaja kishte transmetuar një reklamë ku ish-presidenti amerikan Ronald Reagan fliste në mënyrë negative për tarifat tregtare.
“Bazuar në sjelljen e tyre të egër, TË GJITHA NEGOCIATAT TREGTARE ME KANADANË JANË KËTU E MË KËTU TË PËRFUNDUARA”, shkroi Trump, raporton BBC.
Presidenti amerikan ka vendosur një tarifë prej 35% për importet kanadeze, megjithëse ka lejuar përjashtime për mallrat që përfshihen në marrëveshjen e tregtisë së lirë USMCA me Meksikën dhe Kanadanë, një marrëveshje që Trump e kishte negociuar gjatë mandatit të tij të parë.
Trump tha se videoja, e sponsorizuar nga qeveria e Ontarios, ishte krijuar për të “ndërhyrë” në Gjykatën e Lartë të SHBA, e cila në nëntor pritet të vendosë nëse tarifat e tij globale janë ligjore apo jo.
Ky vendim do të jetë një nga testet më të mëdha të autoritetit presidencial të Trumpit dhe politikës së tij ekonomike kryesore, pasi mund ta detyrojë qeverinë amerikane të kthejë miliarda dollarë të mbledhura përmes tarifave.
Në videon njëminutëshe të publikuar javën e kaluar, dëgjohet zëri i Reagan-it mbi pamje të Bursës së Nju Jorkut dhe vinçave me flamujt amerikanë dhe kanadezë.
Pjesa e përdorur është nga një fjalim i Reagan-it në vitin 1987, ku ai foli për tregtinë e jashtme:
“Kur dikush thotë ‘le të vendosim tarifa mbi importet e huaja’, duket sikur po bën gjënë patriotike duke mbrojtur produktet dhe vendet e punës amerikane. Dhe ndonjëherë, për pak kohë, funksionon. Por vetëm për pak kohë”, thotë Reagan.
“Por në planin afatgjatë, barriera të tilla tregtare dëmtojnë çdo amerikan – punëtor dhe konsumator. Tarifat e larta çojnë në hakmarrje nga vendet e tjera dhe nxisin luftëra tregtare të ashpra… Tregjet tkurren dhe shemben, bizneset mbyllen dhe miliona njerëz humbasin vendet e punës”.
Fondacioni Ronald Reagan reagoi në platformën X, duke thënë se qeveria e Ontarios kishte përdorur “audio dhe video të përzgjedhura” nga fjalimi i ish-presidentit, pa leje. Fondacioni shtoi se reklama “keqinterpreton” fjalimin e Reagan-it dhe se po shqyrton mundësitë ligjore.
Doug Ford, kryeministri i Ontarios, e shoqëroi videon me një postim ku tha: “Ne nuk do të ndalojmë kurrë së kundërshtuari tarifat amerikane ndaj Kanadasë”.
Ontario – provinca më e populluar e Kanadasë dhe zemra e industrisë së saj – është goditur rëndë nga tarifat amerikane, veçanërisht në sektorët e automjeteve dhe çelikut.
Ford më herët kishte reaguar ndaj kërcënimeve të Trumpit duke thënë se ishte i gatshëm të ndërpriste furnizimin me energji elektrike për SHBA, dhe e kishte akuzuar Uashingtonin se kishte “tërhequr thikën dhe e kishte ngulur tek ne”.
Kampanja ku përfshihej reklama ka kushtuar 75 milionë dollarë kanadezë dhe është transmetuar në kanalet kryesore televizive amerikane.
Trump gjithashtu ka vendosur tarifa të veçanta sektoriale për mallrat kanadeze, përfshirë 50% për metalet dhe 25% për makinat.
Këto tarifa kanë shkaktuar humbje vendesh pune në Kanada dhe kanë ushtruar presion të madh mbi bizneset.
Ndërkohë, ambasada e Kinës në Uashington ka përdorur më herët një klip të ngjashëm të Reagan-it për të vënë në dyshim politikat e tarifave të Trumpit.


