Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot në qarkullim pullën e re dedikuar arkitektit të shquar Bashkim Fehmiu (1930–2008).
Bashkim Fehmiu mbetet një figurë kyçe në historinë e Prishtinës moderne, jo vetëm për kontributin e tij në arkitekturë, por edhe për vizionin që formësoi frymën e qytetit.
Ai nuk ishte thjesht një arkitekt që dizajnonte objekte, por një vizionar që krijonte hapësira ku njerëzit jetonin, mësonin dhe ëndërronin. Pas vetes la gjurmë të pashlyeshme në lagjet e banimit, kampusin e Universitetit të Prishtinës dhe ndërtimet ikonike si hoteli “Grand”.
Fehmiu themeloi Entin e Urbanizmit të Prishtinës, duke udhëhequr zhvillime urbane të rëndësishme dhe duke kryesuar Katedrën për Urbanizim dhe Planifikim Hapësinor deri në pensionim në vitin 1991. Ai konsiderohet pionier i arkitekturës moderne në Kosovë, duke kombinuar funksionalitetin me estetiken dhe duke e bërë arkitekturën një gjuhë të përbashkët për qytetarët.
Librat dhe punimet e Bashkim Fehmiut i janë dhuruar Fakultetit të Arkitekturës, ku është hapur edhe biblioteka dhe ekspozita që mban emrin e tij, duke ruajtur trashëgiminë dhe frymën e veprës së tij për brezat e ardhshëm.
Përmes këtij emisioni filatelik, Posta e Kosovës synon të promovojë vlerat kulturore dhe historike të vendit, duke ftuar koleksionistët, institucionet, bizneset dhe qytetarët që ta pasurojnë koleksionin e tyre me këtë emision të veçantë, që nderon figurën e arkitektit Bashkim Fehmiu.


