Nga ana tjetër, studiuesi i migracionit Herbert Brieker nga Instituti për Tregun e Punës dhe Kërkimet Profesionale paralajmëron se tërheqja e masës mund të zvogëlojë interesimin për njerëzit me kualifikim të lartë për të ardhur në Gjermani.
Për të aplikuar për shtetësi të përshpejtuar pas tre vitesh, aplikantët duhet të demonstrojnë arritje të veçanta në integrim – për shembull në shkollë, në punë ose përmes punës vullnetare. Ata duhet të jenë gjithashtu në gjendje të financojnë shpenzimet e tyre të jetesës dhe ato të familjes së tyre dhe të provojnë një nivel më të lartë të aftësive të gjuhës gjermane.
Për shtetësinë pas pesë vitesh, kërkesat janë më të lehta, për shembull në aspektin e gjuhës, por ata prapëseprapë duhet të mbulojnë shpenzimet e tyre të jetesës dhe të plotësojnë kushte të tjera.
Shifra të besueshme të përgjithshme për Gjermaninë nuk janë ende të sakta. Sipas anketave të medias në lande dhe qytete të mëdha, shifrat janë shumë të ulëta.
Edhe pse vitin e kaluar pati një numër rekord të dhënieve të shtetësisë, disa lande raportuan vetëm numra njëshifrorë të “turbo-natyralizimeve”, të tjerë njëftuan numra dyshifrorë dhe vetëm Berlini regjistroi numra treshifrorë. Në përgjithësi, pjesa e natyralizimeve të shpejta ishte ndoshta më pak se një përqind.
Por mediat kanë njoftuar edhe për keqpërdorime. Një problem tjetër është se aplikimi nuk duhet të dorëzohet personalisht, por i gjithë procesi mund të përfundojë edhe në internet.
Reforma e sistemit të azilit në BE
Një tjetër projekt i madh në procesin e kufizimit të migrimit është reforma e Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilit (CEAS). Kjo reformë parashikon procedura të njëjta në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian, me qëllim që të lejojë që migrantët të deportohen direkt nga atje nëse është e nevojshme.
Ajo gjithashtu parashikon mundësinë e kthimit të azilkërkuesve në të ashtuquajturat vende të treta të sigurta, ku aplikimet e tyre do të shqyrtohen më pas. Përveç kësaj, duhet të ndryshohet e ashtuquajtura procedurë e Dublinit, e cila përcakton se cili shtet anëtar është përgjegjës për përpunimin e kërkesave për azil. Shumë e kritikojnë sistemin aktual si joefikas. Shtetet anëtare kanë afat deri në qershor 2026 për të zbatuar reformën.
Si duket zbatimi në Gjermani?
Në fillim të shtatorit, qeveria gjermane nisi procesin e reformës së ligjeve të BE edhe në ligjin gjerman. Qeveria miratoi projektligjin e hartuar nga Ministri i Brendshëm Dobrint, i cili tani duhet të futet në fuqi.
Megjithatë, Dobrint ka theksuar vazhdimisht se nuk dëshiron të ndalet me kaq, por dëshiron ta forcojë reformën. Ai e diskutoi këtë me disa nga kolegët e tij ministra të BE-së të shtunën e kaluar në Mynih, në samitin e dytë të jashtëzakonshëm vetëm në pak muaj.
Një nga temat kryesore është i ashtuquajturi “element lidhës”: ai përcakton që migrantët duhet të kenë një lloj lidhjeje me një vend të tretë në të cilin duhet të kthehen ose ku do të kryhet procedura e tyre e azilit.
CDU, CSU dhe SPD duan ta heqin këtë kërkesë, sipas marrëveshjes së koalicionit. Shtete të tjera anëtare të BE-së po avokojnë gjithashtu për këtë.
Cila është situata në nivel evropian?
Komisioni Evropian propozoi tashmë në maj që lidhja e azilkërkuesve me vendet e treta të mos jetë më e detyrueshme. Sipas propozimit, thjesht kalimi nëpër një “vend të tretë të sigurt” mund të jetë i mjaftueshëm.
Përveç kësaj, marrëveshjet e migracionit me vendet e tjera mund të lejojnë deportimin në vendet me të cilat është nënshkruar marrëveshja, me kusht që shqyrtimi i kërkesës për azil të jetë i garantuar.
Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian duhet të votojnë ende për këto ndryshime. E njëjta gjë vlen edhe për Sistemin e ri të Përbashkët Evropian të Kthimit, të cilin Komisioni e propozoi në mars për t’i bërë deportimet më efikase dhe më të shpejta./ DW


