Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar se pas negociatave, Izraeli ka pranuar vijën fillestare të tërheqjes nga Gaza.
Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump shkroi se sapo Hamasi ta konfirmojë marrëveshjen, armëpushimi do të hyjë menjëherë në fuqi.
“Pas negociatave, Izraeli ka rënë dakord për vijën fillestare të tërheqjes, të cilën ia kemi treguar dhe ndarë me Hamasin. Kur Hamasi ta konfirmojë, armëpushimi do të hyjë MENJËHERË në fuqi, do të nisë shkëmbimi i pengjeve dhe i të burgosurve, dhe do të krijohen kushtet për fazën e ardhshme të tërheqjes, që do të na afrojë me fundin e kësaj katastrofe 3 mijëvjeçare,” shkroi Trump.
Sipas njoftimit të tij, afati i dhënë Hamasit për të pranuar planin përfundon sot në orën 18:00, sipas kohës së Uashingtonit. Trump paralajmëroi gjithashtu se, nëse Hamasi refuzon marrëveshjen, “mbi ta do të shpërthejë gjithë ferri”.


