Me një ceremoni të veçantë dhe pjesëmarrje të gjerë të banorëve lokalë, familjarëve të heronjve dhe zyrtarëve komunalë, sot është përuruar rruga që lidh fshatin Llanishtë me fshatin Devetak në komunën e Shtimes.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe familjarët e Heroit të Kombit, Imer Devetaku, si dhe të profesorit të ndjerë Ismail Hasani, në nderim të kontributit të tyre të çmuar për vendin.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemail Aliu, tha se kjo rrugë ka një rëndësi të madhe infrastrukturore dhe simbolike për komunën.
“Kjo rrugë ka një rëndësi të madhe, sepse lidh fshatin Llanisht me fshatin Devetak, duke u kthyer dinjitetin dhe gjallërinë fshatrave që dikur ishin të lëna pas dore,” deklaroi Aliu.
Ai shtoi se ky projekt është pjesë e një vizioni më të gjerë për zhvillimin e barabartë të gjithë territorit të komunës.
“Sot, çdo cep i komunës sonë më në fund lidhet me qytetin, duke u dhënë të gjithëve mundësi të barabarta zhvillimi. Për katër vjet kemi punuar pa u lodhur për të përmirësuar rrugët e fshatrave tona dhe transformimin do ta vazhdojmë edhe gjatë mandatit të ardhshëm,” tha ndër të tjera kryetari i Shtimes.
Banorët e zonës shprehën falënderime për investimin, duke theksuar se kjo rrugë do t’u lehtësojë jetën dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe social të fshatrave Devetak dhe Llanishtë.


