Shkencëtarët kanë njoftuar se brenda dhjetëra mijëra kraterëve në Hënë mund të gjenden gjurmë të metaleve të grupit të platinës dhe ujit, transmeton KosovaNews.
Nën udhëheqjen e astronomit të pavarur Jayanth Chennamangalam, është zhvilluar një studim i ri që analizon përbërjen e sipërfaqes hënore.
Sipas hulumtimit, deri në 6 mijë e 500 kraterë mund të përmbajnë metale të çmuara si platinë, paladium dhe rodium – elemente që kanë rëndësi kritike për industrinë dhe mjekësinë, por që janë mjaft të rralla në Tokë.
Po ashtu, në rreth 3 mijë e 400 kraterë mund të ketë prani të ujit në formën e mineraleve të hidratuara.
Ekspertët theksojnë se ky burim mund të jetë shumë i rëndësishëm për misionet e ardhshme njerëzore në bazat që planifikohet të ndërtohen në Hënë.
Në raport thuhet se krateret më të mëdha se 19 kilometra dhe ato që kanë një strukturë kodrinore në qendër janë kandidatët më të fortë për përqendrime të larta metalike.
Shkencëtarët shtojnë se nxjerrja e burimeve në hapësirë shihet si një alternativë ndaj burimeve të kufizuara të Tokës.
Nëse në Hënë konfirmohet prania e ujit, ky burim mund të përdoret për nevojat e astronautëve dhe të zvogëlojë nevojën për transportimin e ujit nga Toka.
Studimi sugjeron që, në vend të misioneve të kushtueshme me ulje në sipërfaqen e Hënës, identifikimi i kraterëve me potencial të lartë të bëhet përmes teknikave të zbulimit në distancë nga orbita.


