Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar të enjten një urdhër ekzekutiv, duke konfirmuar se plani për shitjen e operacioneve të TikTok në SHBA tek investitorë amerikanë dhe ndërkombëtarë përmbush kërkesat e ligjit të miratuar në vitin 2024. Ky ligj parashikon ndalimin e platformës së videove të shkurtra nëse nuk shitet nga pronarët e saj kinezë.
Zv/presidenti JD Vance deklaroi se kompania e re amerikane do të ketë një vlerë rreth 14 miliardë dollarë.
Trump ka shtyrë deri më 16 dhjetor hyrjen në fuqi të ligjit, për shkak të përpjekjeve për të ndarë asetet amerikane të TikTok nga platforma globale, për të mbledhur investitorë të rinj dhe për të siguruar miratimin e Pekinit.
“Ka pasur pak rezistencë nga pala kineze, por qëllimi kryesor ishte që TikTok të vazhdojë aktivitetin në SHBA dhe njëkohësisht të mbrojmë privatësinë e të dhënave të amerikanëve, siç kërkon ligji,” u shpreh Vance.
Trump tha se ka biseduar me presidentin kinez Xi Jinping: “Bëmë një takim të mirë. Ia shpjegova çfarë do të bëjmë dhe ai më tha: ‘Vazhdo’.”
Ambasada e Kinës në Washington nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.


