Ministria turke e Mbrojtjes ka njoftuar të enjten se ka vendosur përkohësisht një aeroplan paralajmërues dhe kontrollues (AWACS) në Lituani, në kuadër të masave të sigurisë të NATO-s, pas shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore nga dronët rusë, raporton Reuters, transmeton KosovaNews.
Sipas njoftimit, ky avion ka kryer misione në hapësirën ajrore të Lituanisë nga data 22 deri më 25 shtator. AWACS ka aftësi të zbulojë dronë që fluturojnë ulët dhe objekte të tjera që shpesh i shpëtojnë radarëve tokësorë. Ministria nuk dha informacione të tjera shtesë.
Gjatë javëve të fundit, Lituania, Estonia, Danimarka dhe Polonia kanë raportuar për shkelje të hapësirës ajrore nga dronë apo avionë luftarakë rusë, duke detyruar NATO-n të forcojë mbrojtjen në krahun lindor të Evropës. Polonia ka rrëzuar disa nga këto dronë, ndërsa parlamenti i Lituanisë ka autorizuar ushtrinë të qëllojë çdo dron të paautorizuar që hyn në hapësirën e saj ajrore.
Zyrtarë perëndimorë thonë se Rusia po përdor këto shkelje për të testuar gatishmërinë dhe vendosmërinë e NATO-s. Estonia dhe Polonia tashmë i kanë kërkuar Aleancës që të hapë konsultime sipas Nenit 4 të Traktatit të NATO-s, i cili parashikon bisedime të përbashkëta kur rrezikohet siguria ose pavarësia politike e një shteti anëtar.
Turqia, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, ruan marrëdhënie të ngushta me Rusinë në fusha si energjia dhe turizmi. Megjithëse ka dënuar pushtimin e plotë të Ukrainës nga Moska dhe i ka ofruar mbështetje ushtarake Kievit, Ankaraja ka shmangur t’i bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë, duke ndjekur një politikë balancuese që i lejon të komunikojë me të dyja palët.
Ndërkohë, Italia dhe Spanja kanë vendosur të dërgojnë anije luftarake për të mbështetur flotën ndërkombëtare të ndihmave që synon të çojë furnizime në Gaza, pas një sulmi me dronë ndaj saj.


