Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar ashpër ndaj valës së re të njohjeve të shtetit të Palestinës nga disa vende perëndimore. Ai ka thënë se Izraeli do të kundërshtojë fuqishëm çdo hap në këtë drejtim, si në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ashtu edhe në të gjitha fushat e tjera diplomatike.
“Do të duhet të luftojmë kundër propagandës së rreme dhe thirrjeve për krijimin e një shteti palestinez që, sipas nesh, rrezikon ekzistencën tonë dhe përbën një shpërblim absurd për terrorizmin,” ka deklaruar Netanyahu të dielën.
Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia shpallën njohjen e shtetit palestinez, pavarësisht kundërshtimit të hapur të Shteteve të Bashkuara. Ky veprim cilësohet kryesisht simbolik, por Londra zyrtare shpreson se ai do të rrisë presionin diplomatik për t’i dhënë fund luftës në Gazë dhe për të hapur rrugën drejt një paqeje afatgjatë.
Ky zhvillim vjen pak ditë para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku pritet që edhe vende të tjera, përfshirë Francën, Portugalinë dhe Belgjikën, të shpallin njohjen e Palestinës.
Deri më tani, më shumë se 140 shtete e kanë njohur zyrtarisht shtetin palestinez. Vendimet e fundit të Britanisë dhe Francës konsiderohen veçanërisht të rëndësishme, pasi të dyja janë anëtare të G7-s dhe të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Lexo ppo ashtu:


