Me ratifikimin e Marokut, Traktati i Detit të Hapur ka hyrë zyrtarisht në fuqi, duke u bërë marrëveshja e parë ndërkombëtare e detyrueshme për mbrojtjen e biodiversitetit në ujërat ndërkombëtare, transmeton KosovaNews.
Deri tani, 60 shtete e kanë nënshkruar dhe nis periudha 120-ditore e parashikuar për zbatimin e parë praktik.
Traktati synon të mbrojë rreth dy të tretat e sipërfaqes së oqeaneve, hapësira këto që deri më tani nuk kishin një kornizë ligjore të qartë. Marrëveshja synon të frenojë kërcënime si mbipeshkimi, ndryshimet klimatike dhe shfrytëzimi i thellësive të detit për minerale.
“Ujërat e hapura janë skena më e madhe e krimit në planet; nuk menaxhohen dhe nuk zbatohen,” deklaroi Johan Bergenas, nënkryetar i lartë i WWF për oqeanet.
Megjithatë, disa prej fuqive më të mëdha botërore nuk janë pjesë e plotë e marrëveshjes. SHBA dhe Kina e kanë nënshkruar por ende nuk e kanë ratifikuar, ndërsa Rusia dhe Japonia qëndrojnë tërësisht jashtë procesit. Sipas ekspertëve, kjo mungesë rrezikon të kufizojë ndikimin global të traktatit.
Çfarë parashikon marrëveshja:
Krijimin e zonave të mbrojtura detare në ujërat ndërkombëtare.
Vendosjen e kufizimeve për aktivitetet shkatërruese ndaj habitateve detare.
Forcimin e bashkëpunimit shkencor ndërkombëtar për menaxhimin e burimeve.
Oqeanografia Sylvia Earle e mirëpriti hyrjen në fuqi, duke paralajmëruar se “ky është një stacion, jo destinacioni përfundimtar. Nëse vazhdojmë t’i trajtojmë oqeanet si deponi, rreziku më i madh do të jetë për brezat e ardhshëm.”
Edhe vendet ishullore e cilësuan traktatin vendimtar. Ministri i Klimës i Vanuatus, Ralph Regenvanu, u shpreh: “Çdo gjë që prek oqeanin, na prek edhe ne.”
Ekspertët thonë se sfidat mbeten të mëdha, veçanërisht në sigurimin e fondeve dhe zbatimit pa pjesëmarrjen e fuqive kryesore. Megjithatë, traktati shihet si një hap historik për krijimin e një rendi ligjor ndërkombëtar mbi oqeanet — një zhvillim që mund të shpëtojë ekosistemet, jetesën e miliona njerëzve dhe klimën globale./KosovaNews/


