Një bombë e pashpërthyer nga koha e Luftës së Dytë Botërore u gjet në një kantier ndërtimi në Hong Kong dhe u neutralizua nga njësitë speciale të policisë pas një operacioni të gjatë, transmeton KosovaNews.
Shefi i Policisë së Distriktit Lindor, Andy Chan, njoftoi se bomba u zbulua dje pasdite në zonën Quarry Bay, rruga Pan Hoi. Ai tha se pas 9 orësh pune intensive, bomba u bë e padëmshme.
Mjeti shpërthyes, i gjatë 1.5 metra dhe me peshë rreth 454 kilogramë, ishte i prodhimit amerikan dhe i përkiste arsenalit të përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për shkak të rrezikut të lartë, ekspertët vendosën që ajo të shkatërrohej në vend dhe jo të zhvendosej.

Për sigurinë e qytetarëve, autoritetet evakuuan banorët e 18 ndërtesave përreth, që përfshinin rreth 6 mijë persona. Procesi i evakuimit zgjati deri në orën 23:00 me orën lokale, ndërsa në orën 02:00 ekipet speciale nisën procedurën e çaktivizimit.
Ngjarje të ngjashme janë regjistruar edhe më herët në Hong Kong: në vitin 2018, gjatë punimeve në linjën hekurudhore mes Sha Tin dhe Central, ishin gjetur të njëjtin tip bombash të pashpërthyera./KosovaNews/


