Rusia vijoi gjatë natës të sulmojë Ukrainën me raketa dhe mjete ajrore pa pilot (IHA). Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski njoftoi se vendi i tij u godit rëndë gjatë gjithë natës, duke thënë se “armiku hodhi 40 raketa sulmuese dhe balistike dhe rreth 580 dronë të llojeve të ndryshme.”
Zelenski falenderoi ushtarët që mbronin qiellin gjatë gjithë natës dhe pilotët e F-16 që, sipas tij, demonstruan edhe njëherë aftësitë e tyre dhe mbrojtën efektivisht Ukrainën kundër raketave me drejtim.
Sipas deklaratës së tij, rajonet që u sulmuan përfshijnë: Dnipro dhe rrethinat, Mykolaiv, Chernihiv, Zaporizhzhia, Poltava, Kiev, Odessa, Sumy dhe Kharkiv. Objektivat e sulmeve, theksoi Zelenski, ishin infrastruktura, vendbanimet dhe objektet civile. Në Dnipro, raportohet se një raketë goditi drejtpërdrejt një ndërtesë të lartë.
Derisa hetimet e dëmeve vazhdojnë, autoritetet kanë konfirmuar që dhjetëra njerëz janë plagosur si pasojë e bombardimeve, ndërsa fatkeqësisht 3 persona kanë humbur jetën. “Ngushëllimet e mia për familjet dhe të dashurit e tyre,” tha presidenti.
Zelenski përsëriti thirrjen për përshkallëzim të presionit mbi Rusinë, duke e quajtur secilin nga këto sulme “jo një nevojë ushtarake, por një strategji e qëllimshme për të terrorizuar civilët dhe shkatërruar infrastrukturën tonë.” Ai bëri thirrje për një reagim të fortë ndërkombëtar: përforcim të sistemit të mbrojtjes ajrore, rritje të furnizimeve me armë dhe zgjerim të sanksioneve ndaj strukturave ushtarake ruse dhe sektorëve që i financojnë ato. “Çdo masë kufizuese ndaj Rusisë do të thotë jetë të shpëtuara,” përfundoi ai./KosovaNews/


