Policia e Kosovës ka lëshuar një thirrje publike për qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve telefonike dhe kërkesave të rrejshme për ndihmë financiare, transmeton KosovaNews.
Sipas njoftimit zyrtar, sot rreth orës 09:20, në Stacionin Policor në Zubin Potok është paraqitur një qytetar, i cili ka raportuar se është mashtruar nga një person i panjohur. Ky i fundit ishte prezantuar rrejshëm në emër të zëvendësdrejtorit të DRP Mitrovicë Veri, nënkolonel Veton Elshani, dhe kishte kërkuar ndihmë financiare.
Viktima, duke menduar se po ndihmonte një zyrtar policor, kishte dërguar shumën prej 1,000 eurosh përmes “Western Union” në Bosnje e Hercegovinë. Pas kryerjes së transaksionit, i dyshuari ka ndërprerë çdo komunikim.
Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, policia ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Mashtrim”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.
Policia kujton se raste të ngjashme janë raportuar edhe më herët në qytete të ndryshme të Kosovës, si në jug ashtu edhe në veri, ku persona të dyshuar kanë kërkuar mjete financiare duke u prezantuar në emër të zëvendësdrejtorit Elshani.
Thirrje për qytetarët
Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos bien pre e mashtrimeve të tilla.
Mos u besoni personave të panjohur që prezantohen si zyrtarë policorë dhe kërkojnë para.
Mos dërgoni mjete financiare përmes kanaleve të pasigurta si “Western Union” apo mjete të tjera të ngjashme.
Çdo telefonatë ose mesazh i dyshimtë duhet të raportohet menjëherë në Policinë e Kosovës.
“Siguria juaj është prioriteti ynë. Kujdes nga mashtrimet!”, theksohet në thirrjen e policisë.
Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:
Thirrje drejtuar qytetarëve që të mos bien pre e mashtrimeve
Mitrovicë Veri , 18 Shtator 2025
Më datën 18.09.2025 rreth orës 09:20, në Stacionin Policor në Zubin Potok, është paraqitur ankuesi M/S/K i cili ka raportuar një rast mashtrimi, ku ai është kontaktuar nga një person i panjohur, i cili është prezantuar rrejshëm në emër të ZV.Drejtorit të DRP Mitrovice Veri Nënkolonel Veton Elshani dhe ka kërkuar ndihme financiare. Viktima ka dërguar shumën prej 1.000 euro përmes “Western Union” në Bosnje dhe Hercegovine, pas dërgimit të parave i dyshuari ka ndërprerë komunikimin.
Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Mashtrim”, ndërsa njësitë përkatëse policore po vazhdojnë me hetime.
Raste të ngjashme me thirrje të rrejshme janë raportuar edhe më parë edhe në qytete tjera të Kosovës si në jug ashtu edhe në veri, ku persona të dyshuar kanë kërkuar mjete financiare në emër të ZV.Drejtorit Elshani.
Thirrje për qytetaret.
Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos bien pre e mashtrimeve telefonike apo përmes mesazheve të dyshimta, të cilat janë raportuar kryesisht nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi, apo çfarëdo telefonate të dyshimtë.
Mos u besoni personave te panjohur te cilët prezantohen rrejshëm si zyrtare policore dhe kërkojnë para. Mos dërgoni mjete financiare përmes kanaleve te pasigurta.Çdo rast të dyshimte raportojeni menjëherë në Policinë e Kosovës.
Siguria juaj është prioriteti ynë.
Kujdes nga mashtrimet!


