Ministria e Ekonomisë ka publikuar sot udhëzimet paraprake për skemën e re të granteve në fushën e energjisë së pastër, me qëllim të mbështetjes së bizneseve prodhuese dhe përpunuese në Kosovë.
Këto udhëzime shpjegojnë në detaje dokumentacionin dhe kriteret e nevojshme për aplikim, duke i ndihmuar bizneset të fillojnë përgatitjen me kohë, për të qenë të gatshme në momentin e hapjes së thirrjeve zyrtare për aplikim.
Skema e granteve synon të mbështesë investimet në teknologji dhe masa që rrisin efiçiencën energjetike dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, duke përfshirë:
– Sistemet e energjisë solare fotovoltaike për prodhim të energjisë elektrike;
– Sistemet solare termike për ngrohjen e ujit sanitar;
– Sistemet e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike;
– Masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat e bizneseve;
– Pajisjet që ulin konsumin e energjisë në linjat e prodhimit
Bizneset e interesuara mund të aksesojnë udhëzuesin dhe informacionin e detajuar në linkun zyrtar të ministrisë:
https://me.rks-gov.net/shpallje-2/
Ministria inkurajon të gjitha bizneset që të përfitojnë nga kjo mundësi për të investuar në teknologji të qëndrueshme dhe për të ulur kostot e energjisë në periudhë afatgjatë.


