po mbrojnë kriminelëtFamilja Sadiku, e cila pretendon se iu janë marrë përmes falsifikimit dhe mashtrimit rreth 3 hektarë tokë në Veternik të Prishtinës, ka reaguar ashpër pas vendimit të fundit të Gjykatës së Apelit që edhe për herë të pestë e ka kthyer në rivendosje çështjen e sekuestrimit të kësaj prone.
Në një reagim të dërguar për media, Nexhat Sadiku – i paraqitur si palë e dëmtuar – ka ngritur një varg pyetjesh publike ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Gjykatës së Apelit dhe instancave të tjera të drejtësisë.
“Pse nuk vendosi Gjykata e Apelit as për të pestën herë? Si ka mundësi që Apeli anulon pesë herë me radhë vendimet për shkeljet esenciale që Edita Çanta ka bërë në vendimet e saj dhe prapë nuk merr vendim vetë? Si ka mundësi Gjykata e Apelit liston pesë herë radhazi provat dhe ekspertizat se parcela 1743 është fituar me vepër penale dhe nuk vendos vetë për sekuestrim, por e kthen lëndën në rivendosjen e gjashtë tek gjyqtarja e njëjtë? A është e vetëdijshme Gjykata e Apelit se prona po tjetërsohet pafundësisht në mënyrë të kundërligjshme dhe gjykata vet po e lejon këtë?”, thuhet në reagim.
Në këtë reagim, është bashkëngjitur edhe një “skemë”, që sipas familjes Sadiku, e shpjegon se si ka rrjedhur rasti në Themelore e Apel. Më poshtë, foto e bashkëngjitur në reagimin e familjes Sadiku:

Familja Sadiku ka shtruar edhe pyetje të tjera, duke kritikuar heshtjen e krerëve të sistemit gjyqësor e prokurorial.
“Pse hesht kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, kryetari i Apelit e ai i Supremes? Pse hesht kryesuesi i KGJK-së nga kjo papërgjegjësi e gjykatave? Pse hesht Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore dhe Kryeprokurori i Shtetit?”, theksohet më tej në reagim.
Familja e quan këtë rast “skandal të drejtësisë”, duke theksuar se prona po tjetërsohet me dokumente të falsifikuara dhe me mbështetje të grupeve kriminale.
“A është luksi aq i madh prej 9.8 hektarëve nga tokat e fituara me dokumente të falsifikuara nga Afrim Gashi dhe Ylber Hyseni, sa që çdo pengesë institucionale kalohet me lehtësi në interes të grupeve kriminale?”, kanë pyetur ata.
Në reagim është bashkëngjitur edhe një skemë përmes së cilës familja Sadiku pretendon se dëshmohet mënyra se si ka rrjedhur procesi në shkallën e parë e të dytë, ndërsa prona po vazhdon të tjetërsohet.
Çështja në Apel
Gjykata e Apelit e ka kthyer për herë të pestë në rivendosje rastin e sekuestrimit të pronës milionëshe në Veternik, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë më 15 maj 2024 kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë për urdhër ndalues përfundimtar.
Prona, për të cilën “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar që nga viti 2021, dyshohet se iu është marrë Nexhat dhe Gursel Sadikut përmes dokumenteve të falsifikuara. Për këtë rast po hetohen Ylber Hyseni dhe Afrim Gashi.
Apeli ka konstatuar se Themelorja ka vepruar në kundërshtim me ligjin dhe nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme ligjore për refuzimin e kërkesës, duke vlerësuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme për dyshimin se prona është fituar përmes veprës penale.
Reagime e hetime
Pas hulumtimeve të “Betimi për Drejtësi”, ky rast ka nxitur reagime të shumta, përfshirë edhe nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e ka cilësuar si shembull se si ka funksionuar drejtësia në Kosovë.
Ndërkohë, përveç Ylber Hysenit që është në arrati, në këtë rast është arrestuar edhe Afrim Gashi, i cili dyshohet se ka shfrytëzuar autorizimet për shitjen dhe parcelizimin e pronës. Hetime janë hapur edhe ndaj noteres Valdete Ademi, e cila kishte noterizuar dokumentet që pretendohet të jenë të falsifikuara.
Familja Sadiku vazhdon të këmbëngulë se prona është e tyre që nga viti 1938 dhe se për dekada me radhë janë përballur me padrejtësi e vendime kontradiktore të gjykatave, ndërsa rasti ende mbetet pa një epilog përfundimtar.


