Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar të hënën për zbatimin e vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresave (PZAP), duke certifikuar kështu Listën Serbe dhe Srpska Demokratijan e Aleksandar Arsenijeviqit, raporton “Ekonomia Online”.
“Lidhur me zbatimin e vendimeve të PZAP-së, kemi dy vendime tanimë të plotfuqishme nga PZAP-ja. Njëra A3/25 lidhur me urdhërimin për certifikimin e Listës Serbe dhe njëra A6/25 për certifikimin e Demokracisë Serbe. Dy vendimet janë bërë të plotfuqishme, kemi konfirmim edhe nga Gjykata Supreme se nuk ka ndonjë çështje për të trajtuar sipas ankesës. Lidhur me këto, pasi kemi urdhër të prerë për t’i zbatuar, do të lëshohet vendim për zbatimin e këtyre dy vendimeve”, tha Radoniqi.
Pak ditë më parë KQZ-ja mori vendim për të mos e certifikuar Listën Serbe, por PZAP e rrëzoi vendimin. E edhe Gjykata Supreme i dha të drejtën PZAP-së duke refuzuar ankesën e anëtarëve të Vetëvendosjes në KQZ.
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi, ka kritikuar vendimin për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe ka akuzuar ambasadorët e vendeve perëndimore për ndërhyrje. Ai tha gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së tha se “Gjykata
Supreme vetëm i ka delegjitimuar anëtarët e KQZ-së” me vendimin se Lista Serbe duhet të certifikohet.
Krasniqi përmendi “diplomatët e huaj” që sipas tij po mundohen ta legalizojnë Listën Serbe.
“Ne nuk mund të presim vendime të gjykatave për secilin person veç e veç”, tha ai.
Ai e quajti vendimin e Supremes për certifikimin e Listës Serbe si “koordinim kriminal të organeve tona të drejtësisë” dhe shtoi: “I mbuloftë turpi”, duke paralajmëruar se ata do të japin “përgjegjësi”.
Krasniqi gjithashtu tha se Listës Serbe i dolën në mbrojtje diplomatët e huaj “për hesape të tyre të ngushta” dhe shtoi: “Edhe ata fatkeqësisht janë duke u vënë në mbrojtje, për hesape të tyre të ngushta, apo të karrierës politike”.
Ai tha se certifikimi i Listës Serbe po shkakton “dëm të madh” procesit zgjedhor të 12 tetorit.
Edhe anëtari tjetër i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi, pati akuza të ngjashme.“Gjykata Supreme ka bërë një rrëshqitje shumë të madhe, i delegjitimon anëtarët e KQZ-së që kanë kompetencë ligjore për certifikim ose moscertifikim”, deklaroi ai.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ndërhyri, duke i thënë të flasë “nëse keni fakte diçka për dikënd”.
Por, Krasniqi më pas ndëhyri.
“Kryetar, nëse ke guxim, i fol do fjalë të rënda, kur po flet me Listën Serbe po e ulë kryet dhe s’po bën zë, e mu çka po më pengon, zoti Zenel Leku, i cili ka pranu një e-mail me të gjitha shpjegimet e bëra. Nuk ka denju as me e kthy sepse ka frikë edhe me kthy përgjigje”, tha ai.
Ai pretendoi se gjykatësi Zenel Leku “ka interesa bashkë me ata tjerët”, duke iu referuar lidhjeve me Listën Serbe.
“Kujt i shërbejnë këta njerëz?” – pyeti Krasniqi.


