Në ambientet e ngrohta të Galerisë së Arteve në Pejë, u hap solemnisht ekspozita “Testament”, një projekt i organizatës Voice of Roma, Ashkali and Egyptians, që përmes fuqisë së artit i jep zë atyre që për shumë gjatë janë lënë në heshtje.
Në qendër të kësaj ekspozite janë 20 portrete të anëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, 20 histori të jetuara, që bartin me vete guximin për të sfiduar paragjykimet dhe përjashtimin, duke dëshmuar se përmes përkushtimit, punës dhe qëndresës, mund të ndërtohen ura të vërteta për barazi dhe përfshirje.

Ceremonia e hapjes u shënua me fjalë përshëndetëse nga:
• Z. Gazmend Muhaxheri, Kryetar i Komunës së Pejës, shprehu privilegjin për të qenë pjesë e një iniciative të tillë që promovon bashkëjetesën, respektin dhe barazinë. Ai theksoi përkushtimin e Komunës për të mbështetur projekte që nxisin përfshirjen sociale dhe kulturore të të gjitha komuniteteve në qytet.
• Z. Isak Skenderi, Drejtor i organizatës Voice of Roma, Ashkali and Egyprians, cili theksoi se ekspozita “Testament” nuk është vetëm një shfaqje artistike, por një akt ndërgjegjësimi publik. “Kjo është një thirrje që përmes artit të reflektojmë për realitetet e komuniteteve sic janë romët, ashkalinjt dhe egjiptianët dhe për të ndryshuar qasjen ndaj tyre që sistematikisht përjashtohen”, u shpreh Skenderi.
• Znj. Xhenet Syka, Drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës, vlerësoi ekspozitën si një shembull frymëzues i bashkëpunimit mes artit dhe aktivizmit social. “Ky projekt është një dritare për të parë më nga afër historitë njerëzore që shpesh mbeten në hije, por që kanë shumë për të na mësuar për dinjitetin, forcën dhe potencialin që ekziston brenda secilit prej nesh”, tha Syka.

Ekspozita “Testament” është një udhëtim emocional dhe vizual që synon të sfidojë stereotipet, të promovojë njohjen dhe të nxisë dialogun shoqëror. Me këtë projekt, Voice of Roma, Ashkali and Egyptians synon të krijojë hapësira reflektimi për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e komuniteteve që shpesh mbesin të margjinalizuara.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Galerinë e Arteve në Pejë për tre javë, duke ftuar qytetarët, artistët, të rinjtë dhe institucionet të vizitojnë, të reflektojnë dhe të bëhen pjesë e një rrëfimi që i përket të gjithëve.

Ekspozita “Testament” – një zë i fortë për barazi dhe përfshirje përmes fuqisë së artit.

