Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, mori pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili u mbajt në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Ky takim u fokusua në diskutimet rreth planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor mbështetur nga Bashkimi Evropian.
Ministri Murati ishte pjesë e panelit të dytë “Zooming in the Growth Plan Pillars” së bashku me drejtorin e përgjithshëm për zgjerim dhe fqinjësi lindore të Komisionit Evropian dhe ministrave për çështje evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në fjalën e tij, ministri Murati theksoi përkushtimin e Kosovës për zbatimin e reformave që parashihen me planin e rritjes, ku Kosova ishte ndër vendet e para që ka dorëzuar agjendën e reformave. Tutje, Murati përmendi se Kosova gjithashtu ka zbatuar hapat e paraparë për vitin 2024 dhe 2025 siç janë sistemi elektronik për menaxhimin e rasteve gjyqësore, sistemi i votimit elektronik në kuvend dhe nisja e projektit më të madh të energjisë së ripërtërishme, atij për parkun me erë me kapacitet prej 100 MW.
Ministri Murati përshëndeti propozimin e Komisionit Evropian për “Single Market Highway”, një iniciativë që do të lidhë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor me tregun e Bashkimit Evropian duke theksuar gatishmërinë e Kosovës për të bërë harmonizimin rregullativ të nevojshëm si dhe për të vazhduar me zbatimin e reformave dhe politikave konkrete drejt integrimit në Bashkimin Evropian.