Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, pas takimit të tij me liderët e partive politike për tejkalimin e ngërçit institucional.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku tha se Kurti nuk ofroi as kompromis, as reflektim, e as zgjidhje për situatën, por kërkoi vetëm nënshtrim nga partitë e tjera.
“Sipas logjikës së Albin Kurtit, mjafton një takim që nënshtrimi dhe diktati të maskohen si kompromis. Në takimin me liderët politikë, Albin Kurti nuk ofroi as marrëveshje, as kompromis. Nuk ofroi as reflektim, as zgjidhje. Na kërkoi vetëm një gjë: t’i nënshtrohemi vullnetit të tij. Pa kushte. Pa debat. Pa demokraci. Kaq”, shkroi Çitaku.
Ajo vlerësoi se sjellja e Kurtit në këto negociata thellon edhe më shumë krizën politike, duke paralajmëruar mungesë të vullnetit për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Kritikën e saj e mbylli me theksin se “demokracia nuk funksionon me ultimatume, por me dialog dhe marrëveshje të sinqerta”.