Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot, në përpjekjen e 38-të me radhë për ta konstituar legjislaturën e nëntë të këtij institucioni.
Ndryshe të mërkurën vijoi seanca e konstituive e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e ndërprerë të hënën, më 23 qershor.
Kryesuesi Avni Dehari ftoi subjektet politike parlamentare të cilat nuk kanë propozuar deputetë për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë, që ta bëjnë këtë, por të njëjtat nuk paraqitën propozime.
Kryesuesi Dehari hodhi në votim përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës. Nga 92 deputetë të pranishëm në sallë, 52 votuan për, ndërsa kundër dhe abstenim nuk pati.
Në këto rrethana kryesuesi Dehari njoftoi për ndërprerjen e seancës dhe paralajmëroi vazhdimin e saj të premten, më 27 qershor, në orën 11:00.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.
Në publikimin e aktgjykimit për kërkesën e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës për çështjen e kalimit të votimit për kryetar të Kuvendit nga votimi i hapur në të mbyllur, Kushtetuesja ka konstatuar po ashtu që seanca e nisur më 15 prill e vazhdimi i saj deri tash nuk është zhvilluar në pajtim me Kushtetutën.