Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, bashkë me zëvendësministrin Arsim Berisha, ka pritur sot në takim kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliun, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë dhe për avancimin e shërbimeve publike për qytetarët e kësaj komune.
Vitia e ka quajtur Aliun një bashkëpunëtor të vendosur në betejën e përbashkët për drejtësi sociale dhe shërbime publike me dinjitet.
“Në një shtet që kujdeset, nuk ka vend për neglizhencë. Prandaj, ndërtimi i Institutit të ri Special dhe QKMF-së së re në Shtime janë më shumë se projekte infrastrukturore, janë angazhim për barazi dhe kujdes për qytetarët”, ka shkruar Vitia në Facebook.
Ai tutje ka bërë të ditur se me këtë rast kryetarit Aliu iu dorëzuan edhe çelësat e autoambulancës së re, mjet që, sipas tij, do të jetë në terren, në shërbim, aty ku nevojat janë të menjëhershme dhe jeta varet nga sekondat.
“E falënderova kryetarin Aliu për përkushtimin e tij, dhe e sigurova se Ministria do të vazhdojë të jetë krah qytetarëve të Shtimes me investime”, ka shtuar Vitia.