Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pasi deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, ka deklaruar se LDK ende shpreson për bashkëpunim me Listën Serbe.
Bajrami ka thënë se është hipokrizi ajo se çfarë thotë Murati, derisa shtoi se LVV është ajo që e fton LDK-në për bashkëpunim.
“I paska quajtur partitë shqiptare parlamentare bashkëpunëtore të Listës Serbe, ndërkohë që njerës prej tyre – LDK-së pesë herë në ditë i çojnë fjalë: “A po vjen me bashkëqeverisë”. Në anën tjetër, Qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje e ka pasur një shans të artë për ta shpallur Listën Serbe organizatë terroriste pas sulmit në Banjskë ku ra dëshmor Afrim Bunjaku, por nuk e ka bërë një gjë të tillë, sepse të gjithëve na kujtohen inqizimet e shefes së grupit, Mimoza Kusari, duke u koordinuar për pagat e veteranëve me Listën Serbe “Allo brate”. Dhe e fundit, tashmë të gjithë e kanë të qartë se sa herë që i vjen erë korrupsion krejt Lëvizjes Vetëvendosje, ata provojnë me luajtë ”patriotin”, kinse të tjerët janë me Serbinë”, ka shkruar Bajrami.
Ajo tutje ka shkruar “Tregona Hekuran, si ndodhi që në qeverinë tuaj EFT-ja e Vuk Hamoviqit i monopolizoi të gjitha linjat e transmetimit të energjisë: Mal i Zi – Kosovë, Maqedoni e Veriut – Kosovë, dhe anasjelltas?”.
Lexo po ashtu:
“Dhe si ka mundësi që Kosova ka paguar deri në 798.32 Euro për transportin një MWh energji elektrike”, vijon reagimi.
Ndryshe, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se partia e tij është e përcaktuar që për postin e nënkryetarit të Kuvendit ta zgjedhin dikë që nuk vjen nga Lista Serbe.
Murati ka pohuar se për këtë nismë kanë ftuar edhe subjektet tjera politike, por që ende nuk kanë marrë përgjigje pozitive.
Ai gjithashtu ka akuzuar partitë politike PDK, LDK dhe AAK se ende shpresojnë për bashkëpunim me Listën Serbe.