Komuna e Shtimes po përjeton një transformim të rëndësishëm urban dhe infrastrukturor, falë investimeve të komunës dhe qeverisë që kapin vlerën mbi 17 milionë euro vetëm në zonën e qytetit. Këto investime përfshijnë projekte në fusha të ndryshme të infrastrukturës publike, me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe modernizimin e hapësirës urbane.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka bërë të ditur se zhvillimi i shpejtë i qytetit nuk është rastësi, por rezultat i një vizioni të qartë dhe punës së vazhdueshme .
“Sot, Komuna jonë është e transformuar, e urbanizuar dhe pakrahasimisht më e zhvilluar. Vazhdojmë me përkushtim dhe përgjegjësi për t’i çuar përpara projektet që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve tanë,” është shprehur Kryetari Aliu.
Projektet aktuale përfshijnë rehabilitimin dhe ndërtimin e rrugëve, sistemet e kanalizimit dhe ujësjellësit, ndriçimin publik, ndërtimin e hapësirave të gjelbra dhe objekteve publike, si dhe përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe shëndetësore.
Komuna e Shtimes synon të vazhdojë me ritëm të lartë në realizimin e projekteve të reja, duke theksuar rëndësinë e transparencës, bashkëpunimit me qytetarët dhe zhvillimit të qëndrueshëm.