Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se veriu i Kosovës ishte El Dorado për kriminelët në 20 vitet e kaluara.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka folur për gjendjen dhe mënyrën se si ka operuar krimi në veri të Kosovës.
Ai për mediumin serb N1, ka thënë se zona e veriut të vendit, ishte si një “El Dorado”, për kriminelët.
Ai është shprehur se kriminelët në atë pjesë janë bërë milionerë në kurriz të qytetarëve të ndershëm, prej të cilëve sipas tij ka marrë mesazhe për presionet që iu është bërë nga grupet kriminale.
“Duhet të kuptojmë një gjë, ajo zonë ishte si El Dorado për kriminelët. Kemi kriminelë që janë bërë multimilionerë nga shtresa e varfër apo e mesme, falë veprimtarisë kriminale që tolerohet në atë zonë prej më shumë se 20 vitesh. Kam marrë dhjetëra, në mos qindra, ankesa nga qytetarët atje, të cilët ishin nën presionin e grupeve kriminale”, ka deklaruar Svecla.
“Nuk është se grupet kriminale duan vetëm të pasurohen, por me sjelljet e tyre arrogante dhe banditeske janë pengesë për jetën normale atje. Prandaj, imperativi ynë është vendosja e ligjshmërisë atje”, ka vijuar Svecla.
Ai ka folur edhe për kontrabandën e vazhdueshme në veri të vendit. Sipas tij këto grupe kriminale kanë lidhje me politikën, ai është shprehur se në mesin e këtyre grupeve ka pasur edhe shqiptar përvec servëve.
“Ne ndaluam dhjetë kamionë me mallra kontrabandë, veçanërisht mallra me akcizë dhe u përballëm me grupe të ndryshme kriminale që po përpiqeshin të ruanin këtë situatë kriminale. Ka një lidhje të qartë mes politikës dhe krimit dhe kur them krim e kam fjalën për lidhje multinacionale. Pra, sa herë i kemi arrestuar grupet kriminale, ato përbëheshin nga shqiptarë, serbë, boshnjakë, si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia”, ka thënë ai.
Svecla foli edhe për shpalljen Non Grata të gazetares ruse Daria Aslamova duke thënë se vendimi i marrë nga institucionet e Kosovës ishte legjitim dhe korrekt.
“Dihet se ajo është pjesë e shërbimit inteligjent rus, një person që është shpallur persona non grata në Ukrainë, Moldavi dhe Turqi. Janë të njohura lidhjet e saj me eksponentë të politikës ruse. Prandaj, është bazuar në shumë informacione të tjera, dhe mendoj se ka qenë një vendim legjitim dhe korrekt i institucioneve të Kosovës, se ky person është i papranueshëm për Kosovën”, tha ai.
Svecla për mediumin serb theksoi se serët e veriut të Kosovës, janë paqësor por sipas tij në atë pjesë të vendit ndërhynë edhe politika duke i forcuar kështu grupet kriminale.


